Agroindustria shqiptare më e prapambetura në Rajon, u përkeqësua pas pandemisë
Shqipëria eksporton vetëm 48 milionë dollarë produkte agroushqimore të përpunuara në vit, sipas Bankës Botërore.

Shqipëria renditet ndër vendet me industrinë agroushqimore përpunuese më pak të zhvilluar në Ballkanin Perëndimor dhe Moldavi. Megjithëse eksportet e produkteve ushqimore të përpunuara janë trefishuar gjatë dekadës së fundit, pesha e tyre në eksportet totale agroushqimore ka pësuar rënie, duke treguar se zgjerimi i eksporteve shqiptare është mbështetur gjithnjë e më shumë te produktet e freskëta dhe ato me shkallë të ulët përpunimi.
Sipas raportit më të fundit të Bankës Botërore, “From Farm to Market” (Nga ferma te tregu), të publikuar së fundmi, eksportet e produkteve agroushqimore të përpunuara nga Shqipëria arritën mesatarisht në vetëm 48 milionë dollarë në vit gjatë periudhës 2020–2024. Kjo vlerë është mbi 40 herë më e ulët se ajo e Serbisë, e cila eksporton mbi 2 miliardë dollarë produkte të përpunuara në vit, dhe mbi 12 herë më e ulët se ajo e Moldavisë, me eksporte që tejkalojnë 600 milionë dollarë.
Shqipëria renditet gjithashtu pas Bosnjë-Hercegovinës dhe Maqedonisë së Veriut, vende që kanë zhvilluar një bazë më të gjerë të industrisë ushqimore përpunuese. Edhe Mali i Zi, një ekonomi shumë më e vogël, regjistron eksporte prej rreth 60 milionë dollarësh në vit, kryesisht në produktet e përpunuara të mishit dhe pijet alkoolike. Në grupin e shtatë vendeve të analizuara, vetëm Kosova, me rreth 38 milionë dollarë eksporte mesatare vjetore të produkteve të përpunuara, qëndron pas Shqipërisë.
Serbia dominon eksportet rajonale, Shqipëria zë më pak se 1.5 për qind
Raporti i Bankës Botërore evidenton se, megjithëse industria agroushqimore ka shënuar rritje në të gjithë rajonin, diferencat ndërmjet vendeve janë thelluar. Eksportet mesatare vjetore të produkteve të përpunuara për të shtatë ekonomitë u rritën nga rreth 1.96 miliardë dollarë gjatë periudhës 2010–2014 në 3.46 miliardë dollarë gjatë periudhës 2020–2024.
Vetëm Serbia përfaqëson mbi 60% të eksporteve rajonale të produkteve agroushqimore të përpunuara, ndërsa Shqipëria zë më pak se 1.5% të totalit. Kjo diferencë pasqyron zhvillimin e pabarabartë të kapaciteteve përpunuese dhe të strukturës së eksporteve ndërmjet ekonomive të rajonit.
Në Serbi, zhvillimi i industrisë përpunuese është mbështetur në zgjerimin e kapaciteteve industriale dhe në një strukturë më të diversifikuar të produkteve të eksportuara. Ndërkohë, në Shqipëri, eksportet agroushqimore vijojnë të mbështeten kryesisht te prodhimi bujqësor i freskët dhe produktet me përpunim të kufizuar.
Shqipëria eksporton më shumë produkte të freskëta, Serbia zgjeron përpunimin
Një nga gjetjet kryesore të studimit lidhet me ndryshimin e strukturës së eksporteve agroushqimore gjatë dekadës së fundit. Në Shqipëri, pesha e produkteve të përpunuara në totalin e eksporteve agroushqimore ka rënë nga rreth 33% në periudhën 2010–2014 në afërsisht 25% gjatë viteve 2020–2024.
Kjo do të thotë se, pavarësisht rritjes në vlerë të eksporteve të përpunuara, produktet e freskëta dhe ato me shkallë të ulët përpunimi kanë fituar një peshë më të madhe në strukturën e eksporteve shqiptare.
Në Serbi ka ndodhur e kundërta. Pesha e produkteve të përpunuara është rritur nga rreth 61% në mbi 67% të eksporteve agroushqimore, falë zgjerimit të industrive të përpunimit të drithërave, vajrave, mishit, fruta-perimeve dhe produkteve të duhanit. Edhe Bosnjë-Hercegovina dhe Mali i Zi kanë rritur peshën e produkteve të përpunuara në strukturën e eksporteve të tyre.
Sipas Bankës Botërore, zgjerimi i eksporteve shqiptare është mbështetur kryesisht në prodhimin dhe tregtimin e perimeve të freskëta dhe bimëve mjekësore e aromatike, të organizuara rreth një numri të madh sipërmarrjesh të vogla. Në vendet më konkurruese, zhvillimi është mbështetur në kapacitete industriale më të mëdha dhe në lidhje më të qëndrueshme ndërmjet fermerëve dhe përpunuesve.
Eksportet shqiptare të produkteve të përpunuara janë të përqendruara kryesisht te produktet e fruta-perimeve dhe duhanit. Në krahasim, Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovina kanë një strukturë më të diversifikuar, ku përpunimi i fruta-perimeve, bulmetit dhe mishit zë një pjesë të rëndësishme.
Fragmentimi i fermave dhe mungesa e investimeve pengojnë industrinë përpunuese
Banka Botërore vëren se kapacitetet përpunuese në rajon mbartin ende trashëgiminë e ish-industrive të mëdha agroushqimore të periudhës socialiste. Një pjesë e këtyre kapaciteteve u transformuan në ndërmarrje moderne eksportuese, ndërsa të tjera u shpërbënë dhe u zëvendësuan nga sipërmarrje të vogla.
Vendet që arritën të ruajnë ose modernizojnë kapacitetet industriale, të krijojnë lidhje të qëndrueshme me prodhuesit bujqësorë dhe të përmirësojnë standardet e cilësisë kanë regjistruar rezultate më të mira në eksport.
Në Shqipëri, fragmentimi i prodhimit bujqësor, vëllimet e kufizuara të furnizimit, mungesa e organizimit të fermerëve dhe investimet e pamjaftueshme në teknologji e logjistikë e vështirësojnë zhvillimin e një industrie përpunuese konkurruese.
Këto kufizime pengojnë sigurimin e lëndës së parë në sasi dhe cilësi të qëndrueshme, një kusht i rëndësishëm për ndërmarrjet që synojnë të eksportojnë produkte të përpunuara në tregjet europiane. Mungesa e lidhjeve të forta ndërmjet fermerëve dhe përpunuesve mbetet një nga pengesat për zgjerimin e kapaciteteve industriale dhe rritjen e vlerës së produkteve bujqësore.
Eksporti i produkteve të freskëta mund të sjellë vlerë më të lartë se përpunimi
Megjithatë, raporti i Bankës Botërore thekson se përpunimi industrial nuk është domosdoshmërisht alternativa me vlerën më të lartë për çdo produkt bujqësor. Për fruta dhe perime cilësore, eksporti në gjendje të freskët mund të sigurojë çmime më të larta sesa përpunimi, veçanërisht në tregjet e Bashkimit Europian.
Për të përfituar nga këto tregje, prodhuesit duhet të investojnë në zinxhirin frigoriferik, standardizimin e cilësisë, ruajtjen dhe transportin e produkteve drejt tregjeve më të largëta. Këto investime janë të rëndësishme për ruajtjen e cilësisë së produkteve të freskëta dhe përmirësimin e aksesit në tregje me çmime më të larta.
Banka Botërore vëren se Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovina i eksportojnë produktet e freskëta kryesisht në tregjet fqinje të Ballkanit Perëndimor dhe në vendet e afërta të Bashkimit Europian, ku vlera e realizuar mbetet relativisht e kufizuar.
Banka Botërore rekomandon zhvillimin e përpunimit dhe modernizimin e logjistikës
Për këtë arsye, studimi rekomandon një zhvillim paralel të dy drejtimeve kryesore të sektorit agroushqimor: forcimin e industrisë përpunuese aty ku ekzistojnë kapacitetet dhe potenciali për zgjerim, si dhe modernizimin e zinxhirit të tregtimit të produkteve të freskëta për të siguruar akses në tregje me çmime më të larta.
Për Shqipërinë, sfida mbetet që rritja e prodhimit dhe e eksporteve bujqësore të shoqërohet me zhvillimin e industrisë ushqimore, përmirësimin e logjistikës dhe krijimin e lidhjeve më të forta ndërmjet fermerëve, grumbulluesve dhe përpunuesve.
Të dhënat e Bankës Botërore tregojnë se, megjithëse eksportet shqiptare të produkteve të përpunuara janë trefishuar gjatë dekadës së fundit, pesha e tyre në eksportet totale agroushqimore ka rënë nga rreth 33% në 25%. Me një mesatare prej vetëm 48 milionë dollarësh eksporte vjetore gjatë periudhës 2020–2024, Shqipëria mbetet ndër ekonomitë me industrinë agroushqimore përpunuese më pak të zhvilluar në grupin e vendeve të analizuara.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)